• Today is: Friday, May 17, 2024

SERBIA PARA SE TË KËRKOJË BOSNJIZIMIN E KOSOVËS, LE T’I KTHEJË PRONAT E SHQIPTARËVE TË SANXHAKUT TË NISHIT!

fakti
July18/ 2021

Kosova tash e tutje, në kanale të ndryshme diplomatike e shtetërore  duhet të insistojë që të gjitha tapitë e pronave që ndodhen në arkivat e Turqisë, t’u kthehen pronarëve shqiptarë të Sanxhakut të Nishit. Serbia para se të kërkojë bosnjizimin e Kosovës, le t’i kthejë pronat e shqiptarëve (12.000 km2) të dëbuar me dhunë nga Sanxhaku i Nishit, sepse ky është edhe detyrim nga dokumenti final i Kongresit të Berlinit

Nga EMIN AZEMI

 

Të gjitha pronat e shqiptarëve të shpërngulur në prag të Kongresit të Berlinit (1878) nga Sanxhaku i Nishit, përfshi Kazanë e Pirotit, Kazanë e Vrajës, Kazanë e Toplicës, të Kurshumlisë, të Jagodinës etj. posedojnë tapia të cilat aktualisht ndodhen në arkivat e Turqisë. Është një detyrim që del nga dokumenti final i Kongresit të Berlinit ( nenet 35, 39) i cili e obligonte Serbinë t’i kthente shqiptarët e shpërngulur me dhunë, ose t’ua kthente pronat e uzurpuara pas dëbimit të tyre.
Midis tjerash thuhej: “Në trevat e bashkuara të Serbisë, myslimanët dhe të krishterët duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta qytetare dhe politike. Ata gëzojnë të drejtat e tyre mbi pronat e tyre Ndërsa ata që nuk dëshironin të ktheheshin, mund ta jepnin tokën me qira, në formë gjysmatarie, rrjedhimisht ta shisnin(J. Ristić, Diplomatska istorija Srbije (1875-1878), knj. II, deo II, Beograd, 1898, 256-264). Princi serb, Milan Obrenoviq, përballë këtij obligimi deklaroi: “Njerëzit mund të kthehen e të jetojnë ku të duan në Principatën e Serbisë”. Mirëpo, sipas prof.dr. Ramiz Abdylit, doli se premtimi i tij bëhej vetëm për efekte taktike kundrejt Fuqive vendimmarrëse së Kongresit të Berlinit.
Pas dështimit të “përpjekjeve” të Portës së Lartë për kthimin e shqiptarëve në tokat e tyre në Serbi, qeveria serbe i pati duart e lira për ta zgjidhte çështjen e pronave të tyre përmes Ligjit mbi Reformën Agrare (01. 04. 1880). Sipas tij, të gjitha vendbanimet e shpopulluara do të “plotësoheshin me pronarë të rinj” (me kolonë serb R. A). Neni 4 i tij precizonte qartë: ”Toka i përket atij që e punon”.

Pastrimi etnik i vendbanimeve shqiptare në Sanxhakun e Nishit, që ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, përbën parahistorinë e gjenocidit serb mbi shqiptarët. Institucionet e Kosovës do të duhej që ta përfshijnë në dosjen e padisë për gjenocid edhe këtë krim të Serbisë, të ushtruar mbi popullin shqiptar. Por, përtej kësaj, Kosova tash e tutje, në kanale diplomatike e shtetërore duhet të insistojë që të gjitha tapitë e pronave që ndodhen në arkivat e Turqisë,  t’u kthehen pronarëve shqiptarë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të procesohet në gjykata ndërkombëtare çështja e kthimit të këtyre pronave. Për një angazhim të tillë kolosal, nevojitet edhe kontributi i Tiranës zyrtare, duke aktivizuar edhe njohjet personale të Edi Ramës me Taip Rexhe Erdoganin.

Prof. dr. Ramiz Abdyli teksa e trajton këtë problematikë në librin e tij të fundit “Shkupi në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, ndër të tjera shkruan: “Si rrjedhojë e dhunës, terrorit e të gjenocidit të ushtrisë e të xhandarmërisë serbe,  Sanxhaku i Nishit, përfshi Kazanë e Pirotit dhe Kazanë e Vrajës, do të ktheheshin në toka të pastra serbe që kapnin një sipërfaqe prej rreth 12.000 km2”.  Prof Abdyli, i referohet edhe Akademik Gazmend Zajmit, i cili shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje, e ka cilësuar formë të gjenocidit: “Shpërngulja e qëllimshme dhe e dhunshme e popullatës është shënuar si krim gjenocidal në kuadër të krimit kundër njerëzimit”.

Shqiptarët edhe aktualisht në jug të Serbisë po përjetojnë tkurrje dhe shpopullim, që burimin e ka në projektet gjenocidale të shekullit 19, atëherë kur u zbrazën afro 1000 fshatra nga Toplica,Nishi,Pustareka, Kurshumlia, Vranja, Medvegja etj.

NË TRYEZËN E DIALOGUT,  EDHE PRONA E SHQIPTARËVE TË SANXHAKUT TË NISHIT

Nesër (e hënë) në Bruksel pritet të vazhdojë raundi i dytë i negociatave Kurti-Vuçiq.
Beogradi insiston në formimin e Asociacionit në Bruksel, sepse ky, sipas politikanëve serbë, është “shpirti” i Marrëveshjes së Brukselit dhe “themeli rreth të cilit ishte dialogu dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara”.
Insistimi i  politikanëve serb nuk është bash edhe i kotë, sepse ata ishin mësuar që pas çdo shantazhi drejtuar Prishtinës zyrtare, të pasojë nga një lëshim i turpshëm i politikanëve pararendës, të cilët me të dy duart e nëshkruan bosnjizimin e atdheut të tyre.

Pas çdo shantazhi nga Beogradi, pasonte një zbythje e politikanëve nga Kosova, të cilët marrjen me politikë e kishin  kuptuar si pazarllëk ku këmbehej interesi i përgjithshëm me mirëqenien personale.

Nëse serbët insistojnë ta trajtojnë Asociacionin si “shpirtin” i Marrëveshjes së Brukselit, atëherë Kryeministri Kurti dhe ekipi i tij, duhet ta trajtojë Sanxhakun e  Nishit si një tokë e uzurpur arbitrarisht që pret t’i dorëzohet pronarit.

Në bisedimet Kosovë – Serbi duhet të dominojnë kërkesat e Prishtinës zyrtare deri atëherë sa Beogradi të bindet se me shqiptarët asnjëherë nuk do të ketë marrëveshje deri sa të mos shlyhen të gjitha borxhet ndaj tyre.

PROF.DR. RAMIZ ABDYLI: PSE DUHET TË PUBLIKOHEN TAPITË?

Në një pronocim për Gazetën Fakti, historiani, prof. dr. Ramiz Abdyli tha se botimi i tapive të Sanxhakut të Nishit, e të trevave të tjera për rreth, të njohura si Troje Veriore Shqiptare, janë me peshë shkencore, dhe me efekte politike. “Përmes këtyre dokumenteve me interes të veçantë, do të dihej deri ku saktësisht shtriheshin këto troje, dhe cili ishte numri i bartësve të tapive, rrjedhimisht i pronarëve të pronave të paluajtshme. Nga ky numër do të rezultonte numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këto troje, sepse nga autorë të ndryshëm shqiptarë janë dhënë shifra, me dallime mëdha, që shkojnë nga 150. 000 deri 350. 000. Përmes tapive do të saktësohej edhe numri i fshatrave në të cilët banonin shqiptarët, sepse studiuesit kanë dhënë shifra që dallojnë dukshëm midis,që shkojnë nga 656-700. Bymimi i shifrave, dhe i fakteve të tjera, nuk është në interes të historiografisë së Kosovës , sepse bie ndesh me të vërtetën.

Është me interes shkencor, që në arkivat e Turqisë, të Serbisë, e në ndonjë arkiv tjetër, të sigurohen informacione për numrin e saktë të shqiptarëve të vrarë, të keqtrajtuar, të arrestuar, të grave të dhunuara, të shtëpive e të lagjeve të qyteteve të rrëmuara etj. Po kështu, do të ishte me interes të dihen detaje të tjera, që kanë të bëjnë me çështjen e tjetërsimit të pronave të paluajtshme të shqiptarëve të dëbuar, qëndrimin e Perandorisë Osmane ndaj këtij problemi, si dhe të shteteve vendimmarrëse të Kongresit të Berlinit. Botimi i tapive duhet të bëhet në gjuhën angleze, dhe të shpërndahen në qendrat vendimmarrëse politike, në Bruksel, Nju Jork, si dhe në shtetet evropiane e më gjerë. Përmes tyre, do të ndërgjegjësoheshin qarqet vendimmarrëse politike për pastrimin e parë etnik të tokave shqiptare nga Serbia, rrjedhimisht për gjenocidin e parë të saj mbi shqiptarët. Mbase në këtë mënyrë do të diskreditohej politika shoviniste e Serbisë, që ka ndjekur me konsekuencë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në një periudhë mbi 200 vjeçare.

Kosova duhet ta plasojë të vërtetën e historisë së saj që nga Mbretëria e Dardanisë, tash e 2400 vjet më parë, e cila shtrihej nga Nishi e Piroti deri në Maqedoninë Veriore. Është për të vënë re se kufijtë e saj përkojnë përafërsisht me kufijtë e Vilajetit të Kosovës, i banuar me shumicë shqiptare. Të rikujtojmë se në marrëveshjen, e nënshkruar midis Komisionit të qeverisë osmane dhe përfaqësuesve shqiptarë të Kryengritjes së Përgjithshme në Shkup (18. 8. 1912), Perandoria Osmane njohu autonominë e Shqipërisë brenda katër vilajeteve të banuara me shumicë shqiptare, siç iu njohtë kjo e drejtë Serbisë e vendeve sllave dhe Greqisë. Por kjo e drejtë e ligjshme e Shqipërisë, nuk u jetësua, si rrjedhojë e Luftës së Parë Ballkanike. Ndërkaq, Fuqitë e Mëdha, të ndara në dy blloqe politike-ushtarake, vendosën t’ia jepnin më tepër se gjysmën e tokave shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, për të kënaqur interesat e tyre imperialiste gjeopolitike”, nënvizon Prof.dr. Ramiz Abdyli.